Respektimi i femres ne Islam

Respektimi i femres ne Islam

 

Respektimi i femrës në Islam

Autor: Abdurrezak Bedër


Me të vërtetë, femra muslimane, nën hijen e mësimeve të drejta islame dhe udhëzimeve të tij të urta, jeton një jetë të ndershme, të mbushur me respekt dhe ndershmëri, që nga dita e parë e ardhjes se saj në këtë botë, duke vazhduar kështu në të gjitha etapat e jetës së saj, si vajzë, pastaj si nënë, si bashkëshorte, si motër, si hallë, si teze. Ajo, në të gjitha këto periudha, ka të drejtat e saj të veçanta dhe gëzon meritat e saj plot respekt dhe ndershmëri.

1- Në kohën kur ajo është vajzë, feja Islame thërret në bamirësi ndaj saj dhe përkushtim në rritjen, mbikëqyrjen dhe edukatën e saj, që ajo të formohet si një grua e mirë, e mbrojtur dhe e ndershme. Po ashtu, ka qortuar ashpër jobesimtarët para islamit, për varrosjen e vajzave të tyre për së gjalli dhe urrejtjen që kishin për lindjen e tyre.

Thotë i madhëruari:

"Dhe kur ndonjëri prej tyre përgëzohet me lindjen e vajzës, atij i nxihet fytyra dhe mbushet plot hidhërim. Ai fshihet nga njerëzit, për shkak të keqes që u lajmërua. Ai pyet vetveten, a ta mbajë atë (vajzën), i përulur, apo ta varrosë. Sa i keq është gjykimi i tyre!..." (En-Nahl-58/59)

Transmetohet nga Mugire Bin Shu'bete se pejgamberi ka thënë:"Me të vërtetë, All-llahu jua ka ndaluar juve mosrespektimin e nënave, koprracinë dhe të kërkoni (pa nevojë), si dhe varrosjen e vajzave për së gjalli…" (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
Ibni Haxheri ka përmendur se, para Islamit, jobesimtarët vajzat e veta i kanë varrosur në dy mënyra:

- E para, burri e ka urdhëruar gruan e vet që, kur të vinte koha e lindjes, lindja të bëhej afër një grope. Në qoftë se do t'u lindte djalë, e linin të jetonte; në qoftë se do t'u lindte vajzë, e hidhnin në gropë.

- E dyta, kur vajza i mbushte gjashtë vjet, burri i thoshte gruas së vet që ta parfumonte dhe ta zbukuronte vajzën, gjoja se do t'i vizitonin disa të afërm. Pastaj, largohej me vajzën në shkretëtirë, derisa të vinte te ndonjë pus dhe i thoshte vajzës që të shikonte në pus, ndërsa ai e shtynte nga pas dhe e shkelte. (Fet'hul-Bari)


Kurse, Islami e ka konsideruar vajzën si begati të madhe dhe dhuratë të çmuar nga All-llahu i madhëruar:

"Vetëm i All-llahut është pushteti i qiejve dhe i tokës. Ai krijon çka të dojë. Kujt të dojë, Ai i dhuron vetëm femra ose vetëm meshkuj, ose i dhuron çift, meshkuj e femra, dhe kë të dojë e lë pa fëmijë (steril). Ai është i dijshëm dhe i fuqishëm". (Esh-Shura, 49/50).

Dhe, nga pejgamberi transmetohet të ketë thënë:"Ai i cili ka një vajzë dhe nuk e varrosë atë për së gjalli, nuk e nënçmon dhe nuk i jep përparësi djalit ndaj saj, All-llahu do ta futë në xhenet". (Transmeton Ahmedi)
Ukbete Bin Amir ka thënë se e ka dëgjuar të Dërguarin e All-llahut të thotë:"Kush i ka tri vajza dhe bën durim në rritjen e tyre, si dhe i vesh e i mbath nga pasuria e vet, ato do të jenë për të shpëtim nga zjarri". (Transmeton Ibni Maxheh)
Pejgamberi, në një hadith tjetër, thotë:"Kush i rrit dy vajza, derisa ta arrijnë moshën madhore, unë dhe ai, në Ditën e Gjykimit, do të jemi si këta dy gishtërinj (dhe ka bashkuar gishtërinjtë e vet)". (Transmeton Muslimi)
Imam Ahmedi ka transmetuar se pejgamberi ka thënë:"Kush i rrit dy apo tri vajza, ose i rrit dy apo tri motra, derisa ta arrijnë moshën madhore, ose ai vdes duke u përkujdesur për to, unë dhe ai do të jemi si këta dy gishtërinj (dhe i bëri bashkë gishtin tregues dhe tjetrin pranë tij). (Musnedi i Ahmedit)
Xhabiri bin Abdil-lah ka thënë se i Dërguari i All-llahut ka thënë:"Kush i ka tri vajza dhe i strehon ato, iu siguron ushqim dhe i mëshiron, për të bëhet obligim hyrja në xhenet. Njëri nga të pranishmit pyeti:'Po ai i cili ka dy vajza?' I dërguari i All-llahut tha:'Po, edhe ai, i cili ka dy vajza". (Transmeton Buhariu, në Edebul-Mufred)
Transmeton Aisheja se një beduin erdhi tek pejgamberi dhe i tha atij:"Ju i puthkeni fëmijët e juaj?! Ne nuk i puthim". Atëherë, pejgamberi i tha:"Unë nuk kam asgjë në dorë, nëse All-llahu ka larguar mëshirën nga zemra jote". (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)


2- Islami ka thirrur për respektimin dhe nderimin e veçantë të gruas, si nënë. Ka thirrur për bamirësi ndaj tyre, që të angazhohemi të jemi në shërbim të tyre, të bëjmë lutje për ato dhe mos t'u shkaktojmë asnjë lloj shqetësimi, por t'i trajtojmë ashtu siç trajtohen shokët më të mirë.

Thotë All-llahu:
"Ne e urdhëruam njeriun të sillet mirë ndaj prindërve të vet, ngase nëna e vet me mundim e barti dhe me vështirësi e lindi, ndërsa bartja dhe gji-dhënia e tij zgjati tridhjetë muaj (e ai vazhdon të jetojë), derisa të arrijë pjekurinë e vet dhe, kur t'i mbushë dyzet vjet, ai thotë:'Zoti im, më inspiro të të falënderoj për të mirën Tënde që ma dhurove mua dhe prindërve të mi, të bëj vepra të mira, të cilat i pëlqen Ti, dhe m'i bëj të mirë pasardhësit e mi. Unë pendohem te Ti dhe jam musliman". (El-Ahkaf, 15)




All-llahu, në një ajet tjetër, thotë:
"Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që mos të adhuroni askënd, pos Tij, dhe të silleni mirë me prindër. Nëse njërin prej tyre ose që të dy i ka arritur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as 'of', as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre, por thuaju fjalë të buta dhe, në shenjë mirësjelljeje, shtrije pranë tyre krahun tënd përulës dhe mëshirues, dhe thuaju;'Zoti im, mëshiro ata dy sikurse më edukuan mua kur isha i vogël". (El-Israë, 23/24)

Transmeton Ebu Hurejra se i është thënë të Dërguarit të All-llahut:"Kush është më meritori për mirësjelljen time?" Pejgamberi tha:"Nëna jote". "Pastaj kush?" – u pyet prapë. "Nëna jote" – u përgjigj ai. "Pastaj kush?" – edhe një herë u pyet. "Babai yt" – ia ktheu. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
Abdull-llah Ibn Omeri ka thënë:"Erdhi një njeri të pejgamberi, që t'i jepte besën për hixhret (shpërngulje prej një vendi, i cili banohet me jobesimtarë, në një vend që banohet me besimtarë), pasi i kishte lënë prindërit e vet duke qarë për të. Atëherë, pejgamberi i tha:"Kthehu te ata dhe bëji të qeshin ashtu siç i bëre të qajnë". (Transmeton Ebu Davudi dhe Ibni Maxheh)
Thotë Abdull-llah bin Mesud:"E kam pyetur Pejgamberin se cila është vepra më e dashur te All-llahu?" Tha:"Falja e namazit në kohen e vet". I thashë:"Pastaj cila?". Tha:"Mirësjellja ndaj prindërve". I thashë:"Pastaj cila?" Tha:"Xhihadi në rrugën e All-llahut". (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
Islami e ka ndaluar t'u shkaktohet prindërve ndonjë shqetësim apo çfarëdo lloj dëmi, bile e ka llogaritur një gjë të tillë si mosrespektim ndaj prindërve, për çka do të llogaritet në Ditën e Gjykimit, bile, bile e ka konsideruar prej mëkateve më të mëdha.
Ebu Bekrete ka thënë:"Pejgamberi ka thënë:'A doni t'ju informoj për mëkatin më të madh (tri herë e përsëriti të njëjtën pyetje)". Ata thanë:"Po, gjithsesi, o i dërguari i All-llahut'. Tha:"Të bërit shokë All-llahut, mosrespektimi i prindërve," - pastaj u ul, pasi ishte i shtrirë, e tha - "edhe dëshmia e rrejshme", dhe vazhdoi ta përsëriste atë, saqë menduam: ah, sikur të heshte". (Transmeton Buhariu dhe Muslimi).
Thotë Aliu:"Ka thënë pejgamberi:"All-llahu e mallkon atë, i cili i mallkon prindërit (nuk i respekton ata)". (Transmeton Muslimi)

3- Islami nxit në respektimin e femrës si bashkëshorte, duke e obliguar burrin me obligime ndaj saj, ashtu siç ajo ka obligime ndaj tij.

Prej të drejtave të gruas në islam janë: mirësjellja ndaj tyre, bamirësia ndaj tyre, si në ushqim, ashtu edhe në veshmbathje; sjellja me butësi ndaj saj, të behet durim me ato, të trajtohen me respekt, ngase, në islam, njerëzit më të mirë janë ata, të cilët janë më të mirët me familjen e vet. Prej të drejtave të saj, po shtu, është t'u mësohet atyre feja, të kihet xhelozi për to, t'u ruhet nderi i tyre, dhe, përgjithësisht, të ketë mirësjellje ndaj tyre. Prej ajeteve përmbledhëse të të drejtave të gruas është fjala e të madhëruarit:
"... dhe kaloni jetë të mirë me to…" (En-Nisa, 19)
Po ashtu, në Sunet ka ardhur një numër i konsiderueshëm i haditheve që edhe më tepër e përforcojnë respektimin e të drejtave të femrës dhe përkujdesjen që duhet pasur për to. Prej këtyre haditheve është ai që e transmeton Ebu Hurejra, se i dërguari i All-llahut ka thënë:"Silluni mirë me gratë, ngase gruaja është krijuar nga një bri i shtrembër, e gjëja më e shtrembër në bri është pjesa më e lartë e tij. Në qoftë se doni ta drejtoni atë, do ta thyeni; në qoftë se e leni ashtu, ai do të mbetet i shtrembër. Dhe silluni mirë me gratë". (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
Thotë Neveviu:"Në këtë hadith, potencohet sjellja me butësi ndaj tyre, bamirësia ndaj tyre, durimi në sjelljen e tyre jo të mirë, të përballohet dobësia intelektuale e tyre, urrejtja e shkurorëzimit pa ndonjë arsye, dhe, njashtu, mos të pritet nga to të jenë të përkryera. All-llahu e di më së miri". (Sherh Sahih Muslim)

Po ashtu, në një hadith tjetër që e transmeton Ebu Hurejra, i dërguari i All-llahu thotë:"Besimtari me imanin (besimin) më të plotë është ai, i cili e ka moralin më të mirë, ndërsa më të zgjedhurit e juaj janë ata që sillen më së miri me gratë e veta". (Transmeton Ahmedi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu)
Xhabir Bin Abdil-lah thotë se pejgamberi ka thënë në hutben e tij, në haxhin lamtumirës:"Kini frikë All-llahun se si po silleni me gratë, ngase ju i keni marrë ato emanet nga Zoti, dhe ju është bërë hallall fjetja me to, me fjalën (lejen) e All-llahut. Ndërsa, ato kanë për obligim që mos t'i bëjnë konak askujt që ju e urreni, e në qoftë se ato bëjnë një gjë të tillë, atëherë edukoni ato me një rrahje të lehtë. Ju keni për obligim furnizimin dhe veshmbathjen e tyre, aq sa keni mundësi". (Transmeton Muslimi)
Me frazën "mos t'i bëjnë konak askujt që ju e urreni" mendohet që mos t'u japin leje për hyrje a qëndrim në shtëpitë tuaja askujt që ju e urreni, qoftë burrë apo grua.
Ebu Hurejra thotë:"Ka thënë i dërguari i All-llahut:'Mos ta urrejë një musliman një muslimane (mos ta urrejë burri gruan e vet), se në qoftë se urren një cilësi të saj, e pëlqen një tjetër". (Transmeton Muslimi)
Me frazën "Mos ta urrejë" mendohet që kush prej jush nuk e pëlqen një cilësi të gruas së vet dhe nuk është i kënaqur më atë cilësi, mos ta urrejë atë, ngase në të mund të ketë virtyte tjera të larta dhe sjellje tjera shumë të mira.
Transmeton Aisheja se pejgamberi ka thënë:"Gratë janë si motrat e burrave". (Transmeton Ahmedi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu)
Thotë Ibni Ethiri, duke komentuar frazën "Si motrat":"Të ngjashëm dhe të njëjtë në moralin dhe natyrën e tyre, sikur ato të ishin një pjesë e ndarë nga burrat, ashtu siç është krijuar Hava nga Ademi." (En-Nihajtu fi Garibil-Hadithi vel-Ether).
Në këtë hadith, aq qartë bëhet thirrje për mirësjellje ndaj grave dhe trajtim të shkëlqyer ndaj tyre si edhe për butësi e bamirësi, sa nuk do koment.


4- Islami porosit të respektohet femra si motër, si hallë apo si teze, duke urdhëruar që të mbahen lidhjet me to dhe t'u ndihmohet atyre, si dhe të ruhet pozita dhe të drejtat e tyre.

Për gjithë këtë ka premtuar një shpërblim të madh. Transmeton El-Mikdam bin Madekerib se e ka dëgjuar pejgamberin të thotë:"Me të vërtetë, All-llahu porosit të silleni mirë me nënat tuaja, pastaj ju porositë të silleni mirë me nënat tuaja, pastaj ju porosit të silleni mirë me baballarët tuaj, pastaj ju porosit të silleni mirë me më të afërmit". (Transmeton Buhariu, në Edebul-Mufred, dhe Ibni Maxheh)
Ebu Seid el-Hudrij thotë:"Ka thënë i dërguari i All-llahut:'Nuk ka kush që i ka tri vajza, apo tri motra, dhe përkujdeset për to, përveçse do të hyjë në xhenet". (Transmeton Tirmidhiu dhe Ebu Davudi)
Thotë Aisheja:"Ka thënë pejgamberi:'Farefisi është lidhje nga Zoti. Kush e mban atë lidhje, All-llahu e ruan atë; kush e humb atë lidhje, All-llahu do ta humbë atë". (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
Transmeton Enes bin Malik se pejgamberi ka thënë:"Kush dëshiron t'i shtohet rrizku (furnizimi) dhe t'i zgjatet jeta, le të (vizitojë) mbajë lidhje me farefisin". (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

5- Bile, sikur femra të jetë një e huaj për njeriun, që nuk është e afërm e tij e ajo ka nevojë për ndihmë, Islami nxit për përkujdesje, për bamirësi dhe ndihmë ndaj saj dhe për këtë ka përgatitë shpërblime të mëdha. Transmetohet nga pejgamberi të ketë thënë:"Ai që përkujdeset për një të ve, apo për një të varfër, është si muxhahidi në rrugën e Allahut, apo si ai që falet vazhdimisht dhe nuk pushon, apo sikurse ai që agjëron pandërprerë". (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
Kjo që u tha më lart është një gjë shumë e paktë nga respekti dhe nderi që e gëzon femra nën hijen e mësimeve islame. E, ku mund ta gjejë femra një përkujdesje kaq të madhe, respekt dhe bamirësi të lartë! Bile, (nuk mund të gjejë) as përafërsisht në ndonjë fe tjetër, përveç kësaj feje, me të cilën All-llahu është i kënaqur për robërit e vet.

Përktheu: Gazmend Mehmeti


Marrë nga: Muslimanja.Ch