Puna ne Islam

Puna ne Islam

 

PUNA NË FENË ISLAME

Falënderimi i takon vetëm All-llahut xh.sh., Zotit të botëve, Bamirësit të përgjithshëm, Mëshirëbërësit, Sunduesit në Ditën e Gjykimit. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër të adhuruar përveç All-llahut që është Një dhe nuk ka shok dhe dëshmoj se Muhamedi alejhi selam është rob dhe i Dërguari i Tij. Paqja dhe bekimi i All-llahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e ndershme të tij, pasuesit e tij me të gjithë ne, deri në ditën e fundit, Ditën e Gjykimit.
Të gjithë e dimë se sa të shumta janë të mirat që i Madhi Zot na dhuroi në këtë jetë. Ajeti kur’anor:
وَإِن تَعُدُّواْ نِعْمَةَ اللّهِ لاَ تُحْصُوهَا إِنَّ اللّهَ لَغَفُورٌ رَّحِيمٌ
Po edhe nëse përpiqeni t'i numëroni dhuntitë (të mirat) e All-llahut, nuk do të mund të arrini t'i përcaktoni ato. Me siguri All-llahu shumë fal dhe shumë mëshiron”. ( )
All-llahu i Gjithëfuqishëm krijoi natën me qëllim pushimi e prehjeje për trupin tonë; krijoi ditën për të lëvizur e qarkulluar në sipërfaqe të tokës, me qellim te fitimit ne mënyrën e lejuar dhe dinjitoze te bukës dhe furnizimit tone. Pas çlodhjes mirë e mirë tërë natën, njerëzit dalin në mëngjes e fillojnë nga puna dhe kalojnë gjithë ditën me mundime e përpjekje maksimale, secili sipas punës e profesionit që ushtron.
Puna, vëllezër, ka një vlerë e rëndësi të madhe në Islam. Mundimet dhe përpjekjet për të fituar furnizimin e familjes, janë një punë shumë më e mirë se të falurit nafile-namaz fakultativ. Kjo jo për tjetër por vetëm për faktin se puna është farz-obligim.

Allahu i Madheruar urdhëron e thotë:
فَإِذَا قُضِيَتِ الصَّلَاةُ فَانتَشِرُوا فِي الْأَرْضِ وَابْتَغُوا مِن فَضْلِ اللَّهِ وَاذْكُرُوا اللَّهَ كَثِيراً لَّعَلَّكُمْ تُفْلِحُونَ
E kur të kryhet namazi, atëherë shpërndahuni në tokë dhe kërkoni begatitë e All-llahut, por edhe përmendeni shpeshherë All-llahun, ashtu që të gjeni shpëtim”. ( )
هُوَ الَّذِي جَعَلَ لَكُمُ الْأَرْضَ ذَلُولاً فَامْشُوا فِي مَنَاكِبِهَا وَكُلُوا مِن رِّزْقِهِ وَإِلَيْهِ النُّشُورُ
Ai është që juve tokën ua bëri të përshtatshme, andaj ecni nëpër pjesë të saj dhe shfrytëzoni begatitë e Tij, meqë vetëm te Ai është e ardhmja”. ( )
Këto ajete kur’anore urdhërojnë punën andaj një myslimani i duhet të punoj pareshtur që të pasurohet edhe në këtë jetë ashtu siç është kureshtar për ta fituar boten tjetër, respektivisht, Xhennetin.
Puna, xhemat të nderuar, është detyrë e domosdoshme – farz për njeriun. Pejgamberi, alejhi’s selam, duke folur për punën, rrëfen se furnizimi është ne dispozicion te secilit qe mundohet e punon. “Dyert e rrizkut (furnizimit) janë të hapura për secilin që prej brendisë së qiellit e deri në thellësitë e dheut”- thotë ai, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi te. Mjafton për njeriun të dijë si të punojë e si të përfitojë nga ato mirësi që ia ka falur i madhi Zot xh.sh. gjatë jetës në këtë botë.
Sipas kësaj, kuptohet se pa u përpjekur e pa u munduar, njeriut nuk mund t’i vijë ushqimi te këmbët. Një ditë derisa Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi te, po rrinte me shokët dhe me të afërmit e tij, atypari kaloi një djalosh plot shëndet e i fuqishëm. Lidhur me këtë shokët e Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi te, filluan bisedën duke i thënë: “Ja Resulall-llah! Sa mirë do të ishte që ky djalë që po kalon këndej, të përdorte fuqinë e djalërinë e tij në vepra që ka urdhëruar Zoti i Madhëruar”. Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi te, atyre iu përgjigj: “Mos thoni kështu sepse ai është në rrugën e Zotit xh.sh. në qoftë se ka dalur prej mëngjesit me qëllim që të fitojë bukën për veten, për familjen a për prindërit e tij; në rast të kundërt me të vërtetë nuk është në rrugë të Zotit xh.sh.”.
Të bindemi tani se nuk ka shtytës më të madh për pune se sa feja jonë, e cila na jep shenja të gjalla për t’iu përveshur punës. Sikur të mendohemi pak me ndërgjegje, do ta gjejmë vetë se kjo fe e jona edhe lëvizjen më të vogël për të nxjerrë ushqimin e familjes sonë, na e ka bërë thjesht detyrim. Është mjaft interesant për t’u poentuar nje hadith ne të cilin Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi te, punën e konsideron detyrim të madh.
“Mëkatet që bën njeriu në këtë jetë janë te llojllojshme; të mëdha e të rënda, që nuk mund t’i fshijë e t’i zhduk ndonjë prej adhurimeve “Ibadet” siç janë të Falurit, Agjërimi, Haxhi e të tjera, përveçse mundimi, brenga që kaplon njeriun duke kërkuar ushqim për familjen e tij”.
Domethënë se brenga qe kaplon njeriun për të fituar furnizimin e familjes, është aq ibadet i madh sa zhdukë aso mëkatesh të mëdha, që nuk mund t’i shlyej asnjë prej adhurimeve të tjera.
Vëllezër besimtarë,  a është e arsyeshme të thuhet se feja na porositë ne të punojmë vetëm për Ahiret, e dynjanë ta lëmë pas dore? Kurrë  jo, përkundrazi, feja na porositë që ne të punojmë në këtë jetë të kësaj bote aq shumë saqë të mendojmë se nuk kemi për të vdekur fare.
Prandaj, vëllezër të dashur!, duhet ta dimë se feja jonë islame, më shumë nga çdo gjë tjetër, predikon e këshillon punën. Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi te, duke dashur t’i lavdëroj të gjithë ata që përpiqen e fitojnë ushqimin e familjes me djersën e ballit thotë:

“Kanë për të dale para All-llahut te Madheruar me fytyra të ndriçuara porsi hëna pesëmbëdhjetëshe, të gjithë ata që punojnë dhe përpiqen të punojnë siç ka urdhëruar i madhi Zot i Madheruar  me qëllim që të sigurojnë jetesën e ruajtjen e familjes së tyre që të mos mbetën nevojtarë dhe t’u ndihmojnë fqinjëve e nevojtarëve sa të është e mundur”.
Prej këtij hadithi, ne njëfarë mënyre, kuptohet se kush nuk e ka bërë zakon të punojë me djersën e ballit, por ushqimin e vet e të familjes mundohet ta sigurojë mbi kurrizin e të tjerëve, të mos kërkoj gjynah tjetër më të madh se ky do ti mjaftojë.

Sadik Hasani                                                                                                        22.04.2008
Mual-lim pranë K.B.I.-së në Vushtrri                                                                      Vushtrri