Përshëndetje Qabe e Shenjtë, selam O i Dërguar i Allahut

Përshëndetje Qabe e Shenjtë, selam O i Dërguar i Allahut

Përshëndetje Qabe e Shenjtë, selam O i Dërguar i Allahut

Për Qaben e Shenjtë dhe Medinen e Ndritshme kanë dëgjuar dhe e kanë pa në foto e televizion të gjithë. Por nuk janë të shumtë ata që i kanë vizituar këto vende të shenjta dhe kanë pasur rastin të shohin për së afërmi këto dy vende. Këto dy vende për të gjithë besimtarët muslimanë paraqesin rëndësi të madhe si dy qendra të rangut më të lartë, ku vizitorët e tyre marrin epitetin haxhi dhe kryejnë kushtin e pestë të besimit Islam, i cili është një nga pesë kushtet e domosdoshme të Islamit.
Haxhinjtë shkojnë e marrin gjithë këtë rrugë të gjatë vetëm e vetë ta përshëndesin tokën e Shenjtë, ta vizitojnë Qaben e Ndershme dhe ta përshëndesin të Dërguarin a.s. dhe në gojën e secilit haxhi kumbojnë fjalët: ‘O i Dërguar i Allahut erdhëm të të përshëndesim ty, qëllimi jonë final është të dërgojmë salavate duke thënë: ‘Essalatu vesselamu alejke Ja Resulallah’. Në brendinë e shpirtit të secilit haxhi tek sa e sheh Qaben e përshëndet Resulullahun, me zemër duke thënë: ‘Paqja dhe shpëtimi qoftë mbi ty o i Dërguar i Allahut, unë erdha të të vizitoj, erdha në tokën ku linde ti, ku ta shpalli Allahun fenë e vërtetë, në tokën që ishte burim i isalmit ose nga toka ku e gjithë bota u mbush me drejtësi.
Sa i lumtur është secili vizitor që Allahu ia bëri të mundur të falë namaz në ‘Qaben e Shenjtë dhe Medinen e Ndritshme ku ndodhet Ravdatul Mutahhare’, vend ku Allahu Fuqiplotë e shpërblen me njëqind e pesëdhjetë mijë herë më shumë se në vendlindjen e tij. Ah edhe shumë më i lumtur duhet të jetë kur ka parasysh se namazin e fali, inshaallah Allahu ia shpërblen, por për të ia vlen edhe vetëm njëherë të lutet në praninë e varrit të Pejgamberit duke thënë: ‘Ja Resulallah më bën të mundur shefaatin (ndërmjetësimin) tënd në botën e ardhme.
Besimtari i vërtetë me vite të tëra është i përmalluar për këtë vend, ky mall e kjo dashuri vetëm vazhdon duke iu shtuar, në këtë rast nuk mund të ç’mallemi ndryshe pos kur shkojmë pranë Resulullahut, pranë Qabes së Shenjtë. Për të arritur deri në këto vende duhet të kalojmë shumë fusha e male, shumë lugina e lumenj,shumë dete e oqeane, madje edhe kontinete duke kaluar nëpër qiellin e mbushur me re të dendura e vrerësira të shumta, ose thënë më thjeshtë duke fluturuar tani arrijmë tek vendlindja e Pejgamberit a.s.
Të shkosh në haxh ndoshta nuk është edhe aq vështirë për atë që ka mundësi materiale, por të futesh në përqëndrim të thellë tek Allahu në ato vende nuk është e lehtë. Dikur kur teknologjia ishte e varfër për të shkuar në Haxh, nevojitej shumë madje për dikënd po të punonte edhe tërë jetën nuk do ta kompenzonte atë shumë të hollash. Hiç më pak se para njëqind viteve mbretëronte një gjendje e tillë. Ftesës për të shkuar në Haxh do t’i përgjigjeshin i gjithë qyteti ose fshati por shpenzimet e rrugës e bënin të veten. Ndërsa sot thuajse secili nga njerëzit ka mundësi që të shkojë, por mungon tjetra mundësi, tani jo ajo materiale por mundësia shpirtërore! A e dini gjyshërit tanë se si kishin vepruar me paratë e deponuara me vite të tëra për Haxh, edhe pse i kishin fituar me djersën e ballit, ata prapë në fund kishin shkuar dhe i kishin ndërruarr me paratë e farkatarit duke pas parasysh se paranë që e fitonte ai nxjirrej me më shumë mund e me më shumë djersë.
Haxhinjtë që të arrijnë në shkallët e larta të devotshmërisë duhet të prisnin me orë të tëra, minuta të panumërta, nuk ankoheshin nga kjo pritje vetëm e vetëm që atje të shkonin dhe t’ua pranonte Allahu ibadetin e tyre. Ajo që nuk ka ndryshuar që nga kohrat e lashta e deri më tani është se të gjithë haxhinjtë që e marrin atë rrugë kanë nijjetin e pastërt, ata shkojnë në Shtëpinë e Allahut, ata janë mysafirë të Krijuesit dhe të të Dërguarit të tyre.
Me një nijjet të tillë shkojnë të gjithë haxhinjtë dhe për të gjithë kjo derë është e hapur. Nga kjo derë që hapet nuk mjafton vetëm të hyhet por njëkohësisht edhe të mendohet: ‘Para Lartëmadhërisë së kujt po drejtohem dhe në ç’kah më shpie kjo derë? Por edhe të lutemi qysh nga fillimi: ‘O i Dërguar i Allahut na prano neve!’. Nuk është e pëlqyeshme që të shkilet ajo tokë duke qenë i nevrikosur, duke u ngutur, duke vrapuar dhe në një gjendje sa që haxhiu ta humb kontrollin në përgjithësi. Haxhinjtë duhet t’i kenë sjelljet që ua la trashëgim Pejgamberi a.s. ummetit të tij të dashur, sapo të shkel dheun e shenjtë duhet të lutet: ‘Erdha në vizitë tek ti o i Dërguari i Allahut, inshaallah më pranohet ibadeti dhe më mundëso që sa më shumë të dërgoj salavate ty, ma bëj të mundur ta vizitoj Ravdai Mutahharan (Varrin e shenjtë të Pejgamberit) duke të dërguar salavate.’
Njëra nga çastet më madhështore që përjeton secili besimtar është kur e sheh për herë të parë Qaben e Shenjtë, këto janë momente të papërshkrueshme, të rrenqethurash trupi, rrjedhje lotësh nga sytë, pendim i sinqertë për gjithçka që ka ndaluar Allahu.
Por edhe një takim tjetër është i papërshkrueshëm kur afrohemi brenda çadrave përballë Xhamisë. Ky është vendi me pamjen më të bukur, thotë secili nga ata që e vizituan këtë vend. Tani qëndrojnë pranë varrit të Pejgamberit a.s. pranë kupolës ngjyrë jeshile, me këtë mbështjellës të gjelbër është i mbështjellë Varri i Shenjtë i Resulullahut s.a.s.
Emocionet që përjeton njeriu në këto momente vështirë se mund t’i spjegojë me fjalë, mungojnë fjalët, mungon teksti, mungon gjithçka që të përkufizohet një ndjenjë të tillë. Qaben që kemi para vetes është gur i Xhennetit, daton që nga Ibrahimi a.s. gjyshi i Pejgamberit tonë, ne ymmeti i tij, sa kohë kanë kaluar, këtu lindi më i dashuri i Allahut, ai që Allahu e shkroi emrin e vet së bashku me emrin e tij. Por njëkohësisht edhe emocione të papërshkrueshme përjeton haxhiu kur e viziton Varrin e tij të Shenjtë, tani e përshkojnë ndjenja dhembshurie sepse përfundi asaj kupole pushon krijesa më e dashur e Allahut, Zotriu i të dy botëve, krenaria dhe shpëtuesi i njerëzimit Zotriu ynë Muhammed Mustafaja s.a.s.
Është shumë me rëndësi vizita e varrit të Resulullahut,nuk është e udhës që vetëtimthi të depërtohet në atë vend por përkundrazi aty duhet të qëndrohet më gjatë, të meditohet, të përqëndrohet më thellë vëmendja në kupolën e gjelbërt. Secili nga haxhilerët duhet të kthejë prapa memorien e tij dhe të dijë se ky vend dikur ishte një kopsht me hurma, sa dekada kaluan e ky vend u shëndërrua kështu, sa peripeci përjetuan muslimanët derisa erdhën në këtë pozitë, duhet ditur se ky meditim ngërthen me vete sevabin më të madh të haxhillëkut. Për secilin haxhi nevojitet që qysh në hapin e parë të shkeljes së tij në tokën e Shenjtë të bëjë dua, të lutet, sepse kjo është esenca e haxhit që e shëndërron haxhiun në natyrshmërinë e tij të parë, e zhvesh nga gjynahet duke ia veshur petkun e pastërt të dëlirësisë së tij. Nuk duhet harrua edhe një gjë tjetër, në çdo moment duhet falenderuar Allahun për begatitë e tija të panumërta që na i dhuroi ashtu siç shprehet në Kur’an: ‘وَإِن تَعُدُّواْ نِعْمَةَ اللّهِ لاَ تُحْصُوهَا إِنَّ اللّهَ لَغَفُورٌ رَّحِيمٌ
‘Po edhe nëse përpiqeni t'i numëroni dhuntitë (të mirat) e All-llahut, nuk do të mund të arrini t'i përcaktoni ato. Me siguri All-llahu shumë fal dhe shumë mëshiron.’’ , ‘Nahl, 18) dmth ato aq që janë të shumta saqë nuk kemi mundësi t’i rradhisim. Në këto momente ti o haxhi duhet ta falenderosh Allahun edhe për këtë begati, që ta bëri të mundur ta vizitosh këtë vend të Shenjtë, ku për herë të parë u shpall Kur’ani Famëlartë nga ana e Allahut të Madhëruar te i Dërguari i tij. Duhet falenderuar Zotin që të ballafaqoi me këto mirësi, viziton tokën nga e cila u bë përhapja e misionit më të shenjtë, pra Islamit. Sepse ata që e vizitojnë këtë tokë dhe varrin e Pejgamberit a.s. janë sihariqëzuar për meritën e shefaatit (ndërmjetësimit) të tij Ditën e Madhe të Gjykimit. Por këtu nevojitet diçka tjetër nevojitet durim, sepse duhet pritur duke pasur parasysh numrin e madh të haxhinjëve që presin për një vizitë të tillë, sepse në këto ditë Resulullahu ka edhe mysafirë të tjerë përpos neve. Secili nga këta musafirë janë nga një racë, komb, gjuhë dhe kulturë tjetër, por secili nga ata ka një pikë të përbashkët, ka besimin e njejtë që e lidh e vëllazëron më shumë se çdo gjë tjetër.
Kur ndodhemi pranë kësaj turme e kuptojmë se vërtet gjith ky numër i madh njerëzish janë ummeti i Muhammedit a.s. Në një anë e mendojmë themelimin e parë të shtetit islam në Medine, mu pranë asaj xhamie madhështore e në anën tjetër që dikur shtrihej i tërë qyteti në sipërfaqen e xhamisë paramendojmë numrin e përkrahësve të Pejgamberit edhe pse për atë kohë ishte i madh për periudhën e misionit të tij, por në anën tjetër befasohemi me ardhjen e një numri shumë të madh të haxhinjëve ummetit të Muhammedit a.s. nga të katër anët e botës.
Nganjëherë duhet të shkëputemi nga kjo kohë të mendojmë se ja këtu falte namaz hz. Aisheja, aty vraponte hz. Fatimeja r.a. që t’ja largojë Alejhisselamit plancin nga shpina, këtu shprehu besimin muslimanja e parë grua hz. Hadixheja r.a. Ja, po në këto vende ulej Resulullahu dhe ua kumtonte vahjin (shpalljen) as’habëve (shokëve) të tij. Duhet të paramendojmë se pikërisht brenda dyerve të xhamisë së Medines vrapuan nipat e dashur të Resulullahut për ta përqafuar me dashuri atë, e që për ata thoshte: ‘se janë dy drita të mi të kësaj bote’ ngrihej për takur hynin në xhami, i ulte në prehrin e tij të bekuar dhe vazhdonte ligjërimin. Ja ku janë as’habët që presin të hyjnë në radhët e Islamit, ja ku është vendi ku hz. Bilali tok po e këndon ezanin e parë dhe nga ky vend çdo herë e këndonte. Por për një moment duhet të bie perdja nga sytë tanë dhe të ndërrohet skena. Kudo përeth na vërshojnë zëra dhe turma të mëdha njerëzish. Por ç’është e vërteta para Hirësisë së të Dërguarit duhet të qëndrohet në heshtje. Allahu në Kur’an na porosit që t’i ulin zërat besimtarët para Pejgamberit të tyre, në të kundërtën mundi i tyre pa e vërejtur fare do t’ju shkojë kot, Allahu xh. sh. thotë: ‘يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لَا تَرْفَعُوا أَصْوَاتَكُمْ فَوْقَ صَوْتِ النَّبِيِّ وَلَا تَجْهَرُوا لَهُ بِالْقَوْلِ كَجَهْرِ بَعْضِكُمْ لِبَعْضٍ أَن تَحْبَطَ أَعْمَالُكُمْ وَأَنتُمْ لَا تَشْعُرُونَ
‘O ju që keni besuar, mos ngritni zërin tuaj mbi zërin e Pejgamberit dhe mos iu ngërmoni atij si i ngërmoheni njëri-tjetrit, e të zhduken veprat tuaja duke mos ditur ju.’ (Huxhuratë, 2).
Nga ky shkas duhet të qëndrojmë me edukatë dhe durim në mënyrë që të presim kohën e pranimit të veprave tona madhore. Pra duhet pritur sepse tani është koha që ta dëshmosh veten se je vërtet mysafir i Allahut.
Po pra, musafiri duhet të jetë i edukuar dhe durimtar. Sepse kur shkojmë diku mysafir si duhet të jenë sjelljet tona? Patjetër në përshtatshmëri të rregullave të zotit të shtëpisë. Nuk duhet të luajmë rolin e femiut të llastuar I cili lazdrohet në praninë e nënës së tij kur vate dikund. Prandaj patjetër na duhet durim, na duhet sabër, kjo është fjala dhe vepra e cila duhet ta shoqërojë haxhiun në çdo hap. Sepse ka shumë raste kur duhet të realizohet kjo ngase duhet pritur gjatë në tavaf, ndonjëherë lodhesh duke qëndruar në këmbë por ndonjëherë edhe duke qëndruar ulur, të dhemb mesi, gjynjët, të mpihen këmbët, sa që të bën mendja të qëndrosh vetëm me një këmbë, por përnjëherë duhet të kujtohen fjalët tua kur thoshje: ‘u flijofshin nëna, babai dhe shpitrtat tanë për hirë tëndin Ja Resulallah, u bëfsha kurban në rrugën tënde’. Kjo dmth se më i rëndësishëm është shpërblimi dhe se edhe në këtë rast Ahiretin nuk duhet larguar nga zemrat tona.

Kur shkojmë në haxh është e rëndësishme të bëjmë ibadet, në Qabe të falim namaz i cili na shpërbehet me qindra e mija herë më shumë se në vendlindje, të lexojmë Kur’an që arrin shumëfishin e shpërbilmit në këto ditë madhështore, më qartë kur jemi në Mekke të kemi parasysh se ndodhemi pranë Shtëpisë së Allahut, pranë vendlindjes së Pejgamberit a.s., ndërsa kur jemi në Medine duhet të kemi parasysh se aty kemi varrin e Shenjtë të Resulullahut, dy njerëzit më të dashur të tij që janë të varrosur pranë tij, kush e viziton e sheh në detaje atë vend, sheh mihrabin e Pejgamberit ku u ishte drejtuar si imam as’habëve dhe të gjitha gjërat që janë të rëndësishme aty.
Aty duhet të na kujtohet dhoma e hz. Aishes nënës së besimtarëve, ku priste e përcillte delegacione të shumta që vinin ta pyesnin rreth ç’ështjeve fetare në përgjithësi por në veçanti për ç’ështjet e gruas. Sa i lumtur duhet të jetë ai njeri që Allahu ia mundësoi që edhe në këtë vend të fali dy rekate namaz. Ky vend është një kopsht prej kopshteve të Xhennetit ngase përbën shtëpinë dhe mihrabin e Pejgamberit a.s., e dihet se zotriu më i mirë e më i devotshëm ishte i zoti i kësaj prone, pra Pejgamberi a.s. Një poet në një vjershë thotë: ‘Sikur Xhenneti të jetë i gjatë, vetulla e tij është Medineja. Andaj edhe kur ndodhemi në Medine duhet të kemi parasysh se jemi brenda një ni’meti (begatije) të madhe. Kjo është kopsht i Xhennetit, aty është pronari i burimit të Kevtherit. Padyshim se burimi i bekimit të këtij vendi qëndron sepse këtu gjendet njeriu që shpërndau të vërtetën, drejtësinë, mëshirën dhe se çdo e mirë tjetër buroi nga ky vend. Këtu është dielli i njerëzimit, shëndritja e mendjes njerëzore dhe ai që ua prehu zemrat njerëzve. Këtu është vendi që lindi Islami duke filluar nga shpella Hira, dalëngadalë duke u forcuar pastaj ta shëndrisë tërë botën. Ah sa fatlumë janë ata që kanë nderin të qëndrojnë afër këtij Ambasadori të famshëm të Allahut.
Me shumë kënaqësi le ti dërgojnë salivate për së afërmi dritës së dy botëve duke thënë: ‘Esselatu vesselamu alejke Ja Resulallah, essalatu vesselamu alejke Ja Habiballah…. Essalatu vesselamu…’ ‘Paqja dhe shpëtimi qoftë mbi ty o i Dërguar i Allahut, Paqja dhe shpëtimi qoftë mbi ty o i Dashuri i Allahut, Paqja dhe shpëtimi qoftë mbi ty ….’. Githashtu nuk duhet harruar të përshëndeten edhe shokët e tij besnikë (as’habët).
Dihet shumë mirë se haxhiu është i ngarkuar me një sërë detyrash, dinamika kuptohet se bën të veten edhe nëse jemi të detyruar që në të shpeshtën e rasteve ta falim namazin duke u ngutur inshaallah prapë ai namaz e arrin shumëfishimin e shpërblimit. Gjithnjë duhet të mendojnë se ndodhen në një vend ku duatë- lutjet e tyre nuk kthehen prapa, ata janë në Qaben e Madhëruar dhe pranë varrit të Resulullahut, gjatë gjatë, me sinqeritet dhe me zemër duhet të luten. Athua sa do të kishin dëshirë besimtarët e sinqertë të jenë në këto vende dhe të arrinin në këtë shkallë, t’u mundësohet atyre që të bëjnë ibadet dhe të bëjnë dua, të luten në këto vende?. Padyshim se kjo do të ishte dëshirë e të gjithë besimtarëve.

Dr.Hatixhe Ahmedi