Përplasja e të rinjve

Përplasja e të rinjve

Shkruar nga Valbona Kelmendi   
 
Njeriu i cili i ka këto cilësi është i stolisur edhe me të gjitha cilësitë tjera të mira.                  




"O ti Pejgamber, Ne të dërguam ty dëshmues, lajmëtar, përgëzues e qortues. Dhe me urdhrin e Allahut, thirrës për në rrugën e Tij dhe pishtar ndriçues."
 (Ahzab: 45-46).

Meqë feja e Allahut është e përhershme dhe Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, është pejgamberi i fundit, pas vdekjes së tij kujt do t’i takonte detyra për njoftimin e së vërtetës me fjalë e me vepra, për ta jetuar e për ta mbajtur të gjallë misionin profetik?
Nuk ka dyshim se kjo detyrë e shenjtë u është lënë posaçërisht njerëzve të fesë dhe,  përgjithësisht por me kujdes të madh se çfarë thonë dhe si veprojnë, edhe të gjithë myslimanëve. Argument për këtë përgjegjësi është verseti i cili thotë:
"Dhe ashtu (sikur u udhëzuam në fenë islame) Ne u bëmë juve një popull të drejtë (një mes të zgjedhur) për të qenë ju dëshmitarë (në ditën e gjykimit) ndaj njerëzve, dhe për të qenë i dërguari dëshmitar ndaj jush. E kiblen nga e cila ti u drejtove nuk e bëmë për tjetër, vetëm se për të provuar atë që shkon pas të dërguarit, nga ai që kthehet prapa, ndonëse kjo ka qenë vështirë (për disa), por jo edhe për ata që Allahu i drejtoi. Allahu nuk është që t'ua humbë besimin tuaj. S'ka dyshim se Allahu është shumë i butë dhe mëshirues ndaj njerëzve." (Bekare: 143).

Në lidhje me këtë flet verseti tjetër i cili këshillon duke thënë:
"Nga ju le të jetë grup që thërret në atë që është e dobishme, urdhëron për punë të mbara dhe ndalon nga e keqja. Të tillët janë ata të shpëtuarit." (Al-Imran: 104).

Ndoshta mund të rrjedhin fjalë e thika pse ky krahasim, ose pse të dallohemi kur është në pyetje thirrja…?Pa rezervë do të thosha: Qëllimshëm e pohuam këtë, për vet faktin sepse po shihet "suksesi" i të kuptuarit të drejtë fetar. Pa asnjë vështirësi e dallon të pasionuarin materialist, karrieristin, të pasionuarin e skenave, përfituesin e rasteve, madje si pasojë e këtyre, përplasjen e të rinjve sikurse që përplaset i dehuri kronik.

Nuk mund të pohojmë se vetëm vendet tona shqiptare vuajnë nga këto anomali. Edhe bota islame ndodhet e mbërthyer në një luftë të madhe, në një grindje e rrëmujë të përgjithshme. Kriza shpirtërore e shfaqur në botën perëndimore në fund të shek. XVIII e në fillim të shek. XIX, na ka pushtuar edhe neve, por në një formë pak më ndryshe. Themi se tashmë e gjithë bota përpëlitet në ankthe e dhimbje të mëdha. Sikur na ka paralajmëruar Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, qysh para katërmbëdhjetë shekujve:

"Secila ditë pas tjetrës do të jetë më e rëndë se ajo që e lëmë pas".

Le të pranojmë se teknika dhe komfori që sollën shkencat eksperimentale të shek. XX, kanë "siguruar” rehatinë e disave edhe tek myslimanët, mirëpo, ato në asnjë mënyrë nuk kanë siguruar lumturinë e njerëzimit.Bile, tek disa veç kanë gëlltitur dozë të madhe nga imani, të cilën gjë e sheh në të shprehurit manifestues të tyre në shprehje, vepër, dukje, sjellje, synime, egoizëm, predikim etj.

A mund ta mohojmë se kjo bota e "qytetëruar" e cila po zotëron pamjen e jashtme të jetës tokësore, por që është plotësisht e pa ditur për jetën tjetër, madje edhe e pa sinqertë, po përpëlitet nga dhimbjet e rënda të imoralitetit e të injorancës si dhe nga pamundësia për ta kënaqur vetveten?
Ç’është e drejta dhe realiteti, as pasuria, as popullariteti, as vrapimi pas karrierës e as karriera nuk mund të qetësojë njeriun, sado trim që i thotë vetvetes.

Përparimet e arritura në përmasa botërore, mundësitë të cilat i kemi mbizotëruar sikur të ishim armiq të jetës sonë shpirtërore, na kanë zhdukur prehjen e zemrës e na kanë rrëzuar në gjendjen e njeriut të hutuar që s'mund ta dijë se ç’duhet të bëjë. Kjo gjendje më së rëndi po e godet të riun, edhe pse nuk mohohet fakti se grumbullimi i tyre në ditë të caktuara nëpër xhami është i madh, por as nuk mund të mohohet fakti tjetër se ata shpesh i takon me depresion e pesimizëm si dhe me një përplasje herë andej e herë këndej.
Të jemi më konkret, ky grup i njerëzimit (të rinjtë) është në pozitë më të vështirë se ata të cilët punojnë punë të rëndë fizike. Dihet mirëfilli se çdo çirak kur e fillon artizanatin e vet është pranë mjeshtrit dhe punon nën mbikëqyrjen e tij. Ai me sytë e vet sheh si punon një njeri që e njeh zanatin dhe vet e kupton se fuqia fizike nën urdhrin e intelektit dhe vullnetit arrin suksese të duhura në punë. Prej mjeshtrit të vet mëson mënyrën e punës dhe lehtësinë e kapërcimit të vështirësive, madje gjatë krizave që mund t’i paraqiten, ai gjithmonë pranë vete e ka mjeshtrin si mbështetje shpirtërore. E çirakët e punës ideore nuk kanë mbështetje të këtillë shpirtërore, dhe janë larg këtyre dobive. Këta nuk punojnë krahë për krahë me profesorin e tyre (qoftë ai nga profesorët e shkollës apo të studimeve ose…) të cilët duhet të zënë vendin e mjeshtrit. Takimet me ta janë shumë oficiele, vetëm në ligjërata, mësime ose në provime. Lidhur me këtë, nëse profesori nuk e merr përgjigjen e kërkuar për pyetjen që ua bën, me siguri se do të thotë, se nuk kanë mësuar ose nuk janë përgatitur sa duhet, andaj edhe po përplasen.Për të mos u përplasur, medoemos duhet ta gjejnë ose zbulojnë se si duhet të mësojnë,  mënyrën e të mësuarit dhe si ta gjejnë mbështetjen shpirtërore e cila gjithsesi i nevojitet gjithë njerëzimit. Nëse nuk mund ta gjejnë, digjen e shkojnë, e shkaku kryesor i kësaj është dëshpërimi, pesimizmi dhe shkatërrimi shpirtëror. Në njërën anë nuk e njohin mënyrën e të mësuarit edhe kur shohin padrejtësi dhe paturpësi, dhe në anën tjetër nuk kanë mbështetje shpirtërore.
Kam bindje se të gjithë në rini e ndjejnë këtë zbrazëtirë dhe mangësi si dhe njëkohësisht e shijojnë shijen e ithët të tyre në jetën e studimeve ideore, por pak ka që e tejkalojnë me më pak vështirësi.

Dëshiroj dhe apeloj që shkollat tona që prej fillores e deri te më të lartat, të rinjve gradualisht t'ua mësojnë mënyrën e ecjes me hapa të sigurt në rrugën e të mësuarit dhe përgatitjes si dhe t'ua zbulojnë fshehtësitë e suksesit në punë dhe për punën. Një gjë të tillë të mos ia lënë mëshirës së tjerëve ose OJQ-ve, sepse ato s'mund ta japin as përqindjen më të vogël e lëre më maksimumin. Arsyet dhe shkaqet të cilat kanë të bëjnë me ato OJQ janë të ndryshme, të cilat i dinë të gjithë njerëzit. Ndërsa arsyeja pse ne kërkojmë që shkolla të mos i ngjasojë një fabrike e cila prodhon dituri dhe të mos mbetet në intelektin e të rinjve, por le të ndalet pak edhe në vullnetin e tyre dhe shpirtërisht le të edukohen ata (të rinjtë), është se vlera dhe fuqia e njeriut mbështeten në dominimin me unin dhe sundimin me vullnetin, në sjelljet e mira dhe edukatën shpirtërore e jo në sasinë e diturisë. Kjo edukatë nuk arrihet me leximin dhe mësimin përmendësh të librave.

Dihet qartë se prej çdo të riu pritet që të jetë i suksesshëm, respektivisht nëse ai/ajo studion ose është në shkollë- ta kryejë atë dhe pastaj të ngrihet në shoqëri në vend të lartë posti. Mirëpo, nganjëherë dimë të kërkojmë edhe më shumë se që duhet kërkuar, besa dimë t'i inspirojmë edhe në atë që s'duhet, sikur ta kërkoj postin për ta zënë pa e merituar. Me rëndësi veç të duket në skenë dhe të jetë sundues i të tjerëve. Po sikur të inspirohej për së mbari, që synim ta ketë arritjen e kënaqësisë së Zotit, të kënaqet në gjëra që janë të nderuara e jo në ato të cilat sjellin poshtërim e përulje, sidomos kur bëhen për hir të karrierës e përfitimeve të kësaj bote.

Është shumë realitet se njeriu mund të arrijë suksese e të ngrihet në vendin të cilin nuk e meriton në shoqëri, por kjo nuk do të thotë se është edhe i lumtur. Në të vërtetë të jesh i suksesshëm nuk do të thotë të jesh edhe i lumtur. Sa e sa njerëz ka që janë pasuruar, kanë mbërri në pushtet dhe janë të "famshëm", por brendia e tyre digjet nga malli i lumturisë.Kërkimi i lumturisë diku tjetër jashtë vetes sonë, në famë, pasuri, pushtet, karrierë, pushtim, tradhti, konsiderohet si mashtrim optik në shkretëtirën pa ujë.
Megjithatë, as rruga e lumturisë nuk është e ndarë nga rruga e suksesit. Njeriu i suksesshëm me pak mund lehtë mund të arrijë lumturinë.Konkluzioni i kësaj që do të jepej përballë këtyre të vërtetave të hidhura që u përpoqëm t’i kujtojmë, është ky; njerëzimi në përgjithësi e rinia në veçanti ka nevojë për një transformim të madh. Një transformim që do t’i ndalte epshet, që do t’i qetësonte ankthet, që do t'u sillte prehje zemrave. Një transformim që do ta vinte çdo gjë në vendin e vet, që do t’i jepte hakun çdo qenieje e që do të mësonte se si çdo mjet të përdorej në rrugën e vet…
Ky transformim mund të jetë vetëm ai i Islamit të cilin na e urdhëroi Kur'ani dhe na e mëson suneti i saktë i Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e nga këto burime në mënyrën më të drejtë e më të sinqertë që na e sqarojnë të tjerët, e jo kush të do e si të dojë.

Nëse duam të shkojmë në truallin e suksesit e të lumturisë, dhe në atë truall t’i thërrasim rinisë, duhet t’i dimë dhe t’ua mësojmë disa gjëra të cilat janë të domosdoshme, siç janë:

-          Rreziqet dhe armiqtë për në rrugën e suksesit

Çdo udhëtar i ri gjatë rrugës së suksesit ka gryka të rrezikshme e ka kaçakë të cilët ia presin rrugën. Këta armiq me gjithë qejf dëshirojnë t’i sulmojnë zemërdëlirët e papërvojë të cilët janë në prag të jetës. Kjo nuk do të thotë se ti nuk ke armë me të cilën do t’i luftosh e do t’i mposhtësh. Mjafton që të dish t’i përdorësh këto armë. Nëse nuk din t’i përdorësh dhe nëse njëherë e humb betejën, herën tjetër nuk i kthehesh përsëri asaj. Në vazhdim do t’i përmendim emrat e armiqve të cilët presin betejën me të riun.

 
  1. Armiku i parë është përtacia  

    Për këtë armik nuk mendoj se duhet të ndalemi që ta përkufizojmë, ngaqë e dimë se është shprehi e dëmshme. Për të, pak a shumë të gjithë e dimë se njeriu si gjallesë është përtace, por s'do të thotë se kjo shprehi nuk mund të sfidohet lehtë. Me rëndësi është ta dimë se përtacia ka afinitet të shprehet në forma të ndryshme tek njeriu e sidomos tek i riu. Ajo (përtacia) din ta fitojë karakterin varësisht nga karakteri dhe sjelljet e njeriut që i gjendet përballë.

    Sinonimet e saj janë: përtimi, indiferenca, mospërfillja, snobizmi, indolenca, dembelizmi, qejfi, kënaqësia, habia etj… Ajo nuk shfaqet para të gjithëve në të njëjtën formë. Din të merr formën e mikut, e din të merr formën e arsyetimit, si sëmundje, lodhje, dhimbje etj..
     
Lidhur me këtë do të thosha se, nëse je përtac dhe përtacia jote nuk ka të bëjë me ndonjë sëmundje organike por vetëm mosvrarje e veshit, mospërfillje, dembelizëm apo përtim, me përdorimin e vullnetit mund ta mposhtësh këtë armik të suksesit.

 
  1. Armiku i dytë është shoku i keq

    Armiku i dytë i rrezikshëm në rrugën e suksesit është shoku i keq. Ai është fatkeqësia më e madhe që mund ta godas të riun. Dhe si çdo e keqe, edhe kjo është dinake dhe e maskuar. Për dallim nga përtacia, përtacia është në brendinë tënde dhe të flet me gjuhën tënde, kurse shoku i keq flet me gjuhën e vet dhe më shpejt të tërheq nga vetja.

    Shoku i keq ka një aftësi flagrante. Në çdo moment, qoftë nëpërmjet fjalëve, qoftë nëpërmjet sjelljeve ta tërheq vëmendjen. Ai (shoku i keq) shqetësohet prej punëtorëve dhe fshehurazi ua ka zilinë, fillon t’i nënçmojë e të tallet me ta, ku në këtë mënyrë
    "hakmerret" ndaj tyre. Mundohet në çdo mënyrë të tërheq në greminën në të cilën ka rënë vet. Thënë shkurt, shoku i keq është fatkeqësia më e madhe që mund ta godas të riun.
    Duhet ditur se, po qe se bashkohen përtaci dhe shoku i keq, atëherë shumë vështirë mund të shpëtohet nga kthetrat e tyre.
     
Realiteti tjetër është se, pa u shoqëruar është e pamundur, por do të ishte e rrugës dhe e mirë që, para se ta fillosh shoqërinë, te shoku të kërkosh; sinqeritet, mirësjellje, mirësi, punë, por edhe t'ia dhurosh nga vetja jote këto. Njeriu i cili i ka këto cilësi është i stolisur edhe me të gjitha cilësitë tjera të mira. Ndërsa njerëzit të cilët nuk i posedojnë këto cilësi, kurrë nuk kanë nevojë për shoqërinë tënde, përveç se për këshillën tënde, sepse ata janë njerëzit më të ulët në shoqërinë njerëzore.

 
  1. Armiku i tretë është shembulli i keq

    Në rrugëtim për në oborrin e suksesit do të përballesh edhe me shembullin e keq.
    Shembujt e këqij janë parazitë të cilët vazhdimisht mundohen t'i pengojnë e t’ua mbyllin sytë njerëzve që kanë arritur në disa shkallë më lart. Këta shembuj nuk janë vetëm sot ose do të jenë vetëm nesër, ata kanë qenë e do të ekzistojnë në të gjitha kohët. Në çdo kohë ekzistonin njerëz e do të ekzistojnë njerëz të cilët duke shfrytëzuar qëllimin e mirë dhe zemërgjerësinë e të tjerëve i kanë e do t’i mbushin qeset e veta ose do të arrijnë në post pak më lartë të cilin edhe e keqpërdorin duke shtruar trysni e duke bërë mashtrime e kurthe. Por sot sikur janë shtuar tepër. Lidhur me këtë, nëse i kujtojmë shembujt e sahabëve të Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, se si kanë qenë të drejtë, të sinqertë dhe të kujdesshëm në fusha të tilla, këtyre shembuj-këqijve do t’ju duket si përrallë ndoshta, se po t’i kujtonin pak, s'do të binin kaq poshtë e s'do të ishin kaq të ulët në ndërgjegje.



     
Ndërsa sytë e tu të papërvojë, shpesh mund të shohin njerëz të tillë. Fatkeqësisht jetës tënde me punë të përhershme permanente dhe durim të madh, shijen ia humbin këta parazitë. Epiqendra e tyre është "egocentrizmi", vendosja e vetes në qendër të të gjitha gjallesave dhe të menduarit vetëm për veten, ndërsa parimi i suksesit të tyre është të arrihet absolutja, pa marrë parasysh në çfarë mënyre.

Në të vërtetë këta janë parazitët më të ligë të botës njerëzore. Të tillët, egocentrizmin e konsiderojnë si fryt të intelektit dhe në mënyrë jo të ndershme tallen me të, ndërsa arritjen e suksesit nëpërmjet mashtrimit e konsiderojnë suksesin më të madh.
Njerëzit e tillë, kurrë mos i merr për udhërrëfyes të jetës! Mos lakmo jetën luksoze e të pavlerë të pazarllëkut!
Mos dysho në rezultatin e sigurt të punës së ndershme dhe mos e shkatërro fuqinë shpirtërore duke ua lëshuar ardhmërinë tënde tekave të një rastësie të errët!
Mos lakmo “parajsën” e intelektit plot intriga dhe dredhi. Duhet ditur se, njeriu i cili vërtet është njeri, i ndriçon rruga e ndershmërisë dhe drejtësisë.

Të jesh i sigurt se ky është kushti parësor i të qenit i lumtur dhe i qetë. E nëse dëshiron të jetosh si njeri i qetë, atëherë këtë qetësi do ta arrish vetëm me drejtësi.
Thelbi i suksesit është arritja në cak në saje të hapërimit rrugës së drejtësisë dhe ndershmërisë, e assesi nuk do të thotë arritje në pasuri, famë ose pozitë me çfarëdo mjetesh apo me çfarëdo mënyre.

Siç u tha edhe më parë, ke dy armë të forta me të cilat mund t'i luftosh këta armiq; punën dhe vullnetin. Ndërsa e rëndësishmja e këtyre është që ta edukosh drejt vullnetin dhe ta njohësh mënyrën frytëdhënëse të punës.

(P. S. Në vend të fundit, po e shoh të rrugës që ta rekomandoj ta dëgjosh një leksion nga dijetari i madh Abdulkadër Arnauti të cilin e ka emëruar "Prapambeturia e myslimanëve”).