Deshiroj te jem krenar!

Deshiroj te jem krenar!

Lavdia i takon Allahut. 

Salavatet dhe selamet qofshin mbi Muhamedin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. 
Të jesh krenar do të thotë të jesh i çmuar dhe i nderuar si njeri dhe si qytetar, të mos lejosh nëpërkëmbjen dhe poshtërimin, por të jesh ballëhapur me nderin, dinjitetin dhe identitetin tënd Islam. Fitimi i statusit të myslimanit është fitore dhe sukses për njeriun, i cili është ballëlartë, madhështor dhe kranar për vetitë dhe cilësitë e fituara.
 
Ajetet e Kur’anit, që janë fjalët e Allahut të Lartësuar, përmbajnë porosi dhe mesazhe që i motivojnë njerëzit që ta kërkojnë krenarinë tek Allahu Krijues. Ata që besuan bindshëm në Allahun Fuqiplotë dhe pranuan Allahun për Zot, Islamin për fe dhe Muhamedin, salAllahu alejhi ue selem, për pejgamber, ditën të tregojnë që janë krenarë dhe fatbardhë për një arritje të tillë. Këta konfirmuan nënshtrimin e plotë dhe të sinqertë ndaj Islamit, u dalluan prej të tjerëve në sjellje dhe veshje, u krenuan me dituri dhe iman e jo me mëkate dhe armiqësi.
 
Personaliteti i myslimanit krenar është një personalitet i llojit të veçantë, ka karakteristika të veçanta. Të veçanta tek ai janë sjelljet, qëndrimet, dëshirat, synimet, vullneti. Myslimani duhet të bëjë përpjekje të vazhdueshme për të arritur atë çka Allahu i Lartësuar kërkon prej tij. 
Mysliman i nderuar, nëse dëshiron krenarinë, atëherë lejomë të të kujtoj fjalët e Allahut: 
 
"Kush dëshiron krenarinë (le ta dijë), e tërë krenaria i takon Allahut (pra le ta kërkojë prej Tij), tek Ai ngrihet fjala e mirë (besimi) dhe veprimi i mirë, e Ai i pranon.” (Fatir, 10) 
 
"Ndërsa e tërë krenaria i takon Allahut, të dërguarit të Tij dhe besimtarëve, por hipokritët këtë nuk e dinë.” (Munafikun, 8) 
 
 
Të nderuar lexues! 
Gjatë periudhave të ndyshme kohore, ka patur furtuna dhe vërshime të mëdha, synimi i të cilave ish të njollosnin dhe asgjësonin personalitetin e myslimanit. Nëpërmjet filozofive dhe kulturave të ndryshme u rrahën lëkundje dhe u shpallën luftëra. Po ashtu, sot bëhet një luftë e organizuar për të dobësuar personalitetin e myslimanit, kjo luftë organizohet nëpërmjet masmediave, televizionit, radios, internetit, gazetave, revistave, programeve të ndryshme. Shpenzohen mjete të shumta. Por megjithkëtë, sado i sofistikuar të jetë arsenali i dashakeqëve të Islamit, prapë se prapë personaliteti i myslimanit do të mbetet i palëkundur dhe krenar. 
 
Myslimani është kranar, bujar, fisnik, madhështor, i këndshëm, sepse ai e ka përjetuar ëmbëlsinë e krenarisë tek Allahu i Lartësuar dhe tek i Dërguari i Tij. 
Kur myslimani shijon kënaqësinë e besimit në Allahun e Lartësuar, nuk ka mundësi të përulet para armiqve. Sa më tepër sulmohet, aq më i fortë bëhet. Edhe në rastet kur e pengojnë të kryejë porositë dhe detyrat e tij shpirtërore, ai prapë se prapë është krenar me imanin që ka në zemër, nuk i frigohet askujt përpos Allahut të Lartësuar. 
 
Nga dhe si të furnizohemi me krenari? 
Burimet e krenarisë janë të shumta, një prej të cilave është namazi. Myezini fillon të lajmërojë kohët e namazit me fjalët Allahu ekber (Allahu është më i madhi), Ai është më i madh se çdo gjë. Ai e asgjëson çdo fuqi. Ai është më i Fuqishëm se çdo i fortë. Ai është më i Pasur se çdo i pasur. Vetëm atij i takon Madhëria dhe Lartësia. Paskëtaj, çdo pjesë në namaz përcillet me fjalën Allahu Ekber. Hyrja në namaz bëhet me fjalën Allahu ekber, shkuarja në ruku, në sexhde, në etehijat po ashtu bëhet me Allahu ekber. 
 
Të gjitha këto japin kuptimin e krenarisë. Ata të cilët kanë shijuar ëmbëlsinë e namazit, padyshim që Allahu do t’u dhurojë shumë të mira. 
Allahu është Ai që ia dhuron pushtetin kujt të dojë: 
 
"Thuaj: ‘O Allah, Sundues i çdo sendi, Ti ia jep pushtetin atij që do, Ti ia heq prej dore pushtetin atij që do, e lartëson atë që do dhe e përul atë që do. Çdo e mirë është vetëm në dorën Tënde, vërtet, Ti ke mundësi për çdo gjë!" (Ali imran, 26) 
 
"Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira edhe në botën tjetër dhe na ruaj prej dënimit me zjarr!” (Bekare, 201) 
 
 
Shkruan: Ulvi FEJZULLAHU 
 https://www.albislam.com/artikuj/