Manifestimi i fese Islame sot ne Evrope

16/04/2009 22:40

 

Akad. Enes Kariq

Manifestimi i fesë islame sot në Evropë

Perceptimet e ndryshme të Islamit në Evropë
 
Prania e muslimanëve në Evropë detyrimisht formon në fjalor të posaçëm që me ndryshime të vogla dallon nga koha në kohë. Viteve të fundit në përdorim të ngjeshur, ndër të tjera, e kemi edhe togfjalëshin ‘evro-islami’, i cili nuk e ka ekuivalentin e tij në bashkësitë e tjera fetare, katolike apo protestante, apo thënë më drejt ky togfjalësh në raport me Kristianizmin është shumë i rrallë.
Kuptimet e ‘evro-islamit’ janë të shumta, varësisht kush si e përdorë, por domosdo asocon në njëfarë getoje semantike, në njëfarë pajtimi të dhunshëm të kontinentit të Evropës dhe të Islamit, siç e thotë këtë akademiku boshnjak Enes Kariq. Por, kur muslimanët e përdorin këtë togfjalësh, ai sikur asocon edhe në realitetin se ‘evro-islami’ apo Islami në Evropë nuk është një raritet në Evropë, por është real, vendor, që ka shtatin e tij, historinë e tij, kontributin e tij këtu.
Përdorimi politik i këtij togfjalëshi më tepër është artificial dhe paraqet një sllogan marketingu në adresë të liberal-demokracive perëndimore.
Në anën tjetër, përkufizimi i ‘evro-islamit’ sipas muslimanëve paraqet një drojë te perëndimorët nga gjoja pushtimi në paqe dhe përvetësimi i këtij kontinenti nga muslimanët, kurse përkufizimi i ‘evro-islamit’ sipas perëndimorëve në mendjen e evropianëve muslimanë nxitë frikën e rrëgjimit të Islamit në një ‘krijesë’ që do t’i përngjasonte eksperimentit britanik të quajtur kadijani-ahmedi.
             
Islami si “refugjatë” në Evropë
 
Për shkak të ndjenjës por edhe njëmendësisë së mospranimit, të mosintegrimit apo pranimit gjysmakë apo të kushtëzuar, detyron grupet që emrit të vet t’ia shton edhe komponentën e vendit, të prejardhjes apo diç të tillë, si shenjë mbrojtjeje dhe arsyetimi ndaj dikujt për shkak të pranisë së tij në atë vend apo edhe për shkak të edukimit të tillë që ai të ndjehet i internuar, si banor apo si besimtar enklave, thjesht i huaj.
Kjo gjendje i detyron muslimanët që sërish të dëshmohen, për të saten herë, sidomos tash, me zgjerimin e Bashkësisë Evropiane, për të gjetur vendstrehim të sigurt, tokë të sigurt për këmbët e pasigurta. Sidomos, kur zërat antiislam, antimusliman vijnë nga qendra të caktuara kishtare. Kjo i shqetëson edhe vetë njerëzit paqedashës perëndimor, të cilët në aktivitetin mesianist të disa kishave evangjeliste, se Evropa e bashkuar është kristiane, e shohin me pasoja katastrofike për të ardhmen evropiane dhe më gjerë.
Është interesante në tërë këtë angazhim se muslimanët në Evropë nuk kanë bërë përpjekje serioze për ta përkufizuar Evropën, ashtu si e shohin ata apo si u pëlqen atyre, kurse Evropa ka vazhduar t’i përkufizojë njëanshëm edhe Islamin edhe muslimanët. Ndonëse njohja reciproke daton tashmë 14 shekuj, ndonëse atëherë ka filluar “debati i madh, si e thotë këtë Gibbon, vazhdojnë përplasjet dhe injorimi i tjetrit në rrafshin politik, kulturor, fetar etj.
 
Si të universalizohet manifestimi ynë evropian i Islamit?
 
            Njohja e së kaluarës është e domosdoshme, por kjo njohje duhet të jetë e urtë, e mençur dhe kuptimplote, sepse njohja e së kaluarës që i ngjason vrapit të papërgjegjshëm pas të kaluarës sjellë fatkeqësi. Muslimanët sot, grupe të caktuara, në kërkim të identitetit autentik, vrapojnë pas autoriteteve dhe shekujve të kaluar, që thënë drejt, kanë një fuqi rrezatuese të zbehtë për të ardhmen.
Prandaj, duhet t’i kthehemi aktualitetit për ta përgatitur të ardhmen. Mirëpo, ky tentim nuk do të jetë i lehtë, sepse manifestimi i Islamit në Evropë po bëhet nën vëzhgimin rigoroz të të gjithëve. Mendoj se kjo bëhet jo vetëm për shkaqe politike, të një rreziku nga tjetri, në këtë rast nga muslimanëve. Kjo bëhet edhe për shkaqe praktike. Disa grupime kishtare perëndimore po ballafaqohen me rënie drastike të besimtarëve. Këtë e dëshmon shitja e një numri të madh objektesh fetare evangjeliste por edhe katolike në Evropë. Për ta luftuar këtë trend rapid, këto qarqe kërkojnë dhe si duken për një kohë e kanë gjetur armikun afatgjatë strategjik, i cili do të jetë forcë mobilizuese brenda për brenda. Kjo është e qartë edhe nga literatura e islamologëve dhe filozofëve të njohur botëror, sikur Edward Saidi, Samuel Huntingtoni, Frensis Fukujama, etj.
Bota sot shtron pyetjen: çfarë Islami na duhet?, dhe para së gjithash në këtë mendohet në Islamin shoqëror, e jo me çështjet dogmatike? Kjo domethënë çfarë Islami dhe çfarë muslimanësh ata dëshirojnë nëpër rrugët e Berlinit, Vjenës, Bernit, Londrës, Parisit, Milanos ...
Në kontekstin tonë do të thoshim: Çfarë muslimanësh dëshirojmë të jemi, e që të jemi edhe evropianë? A mund të jemi evropianë, e që mos t’i dëshpërojmë dhe lëndojmë mësimet islame?
Mirëpo, vetvetiu, gjatë të kaluarës në Evropë janë profilizuar, marrë në përgjithësi, tre lloje muslimanësh:
A) Bashkësitë dhe popujt tradicionalë, autoktonë muslimanë sikurse janë shqiptarët dhe boshnjakët dhe pakica të tjera muslimane, si romët, turqit ballkanik etj.
B) Emigruesit dhe punëtorët muslimanë, të cilët më së shumti janë nga Turqia, Afrika Veriore, pastaj nga Iraku, Afganistani, Irani, India, Pakistani dhe Bangladeshi.
C) Konvertitët evropianë në Islam sikur edhe fëmijët muslimanë të lindur në Evropën Perëndimore nga brezi i tretë, gjuha amtare e të cilëve është anglishtja, frengjishtja, gjermanishtja, spanjollishtja ...
  Për fat të keq, njohuritë tona për bashkësitë e sotme muslimane në Evropë janë modeste, dhe kjo njohje nuk shkon përtej ndonjë përshtypjeje individuale, ndonjë reportazh gazete apo nëpërmjet ndonjë ‘skandali’ televiziv. Por, nëse shfletohet literatura, interneti apo edhe njohuritë individuale për shoqëritë dhe bashkësitë muslimane në Evropë mund të thuhet se ekziston:
            –        Zhvillimi i dobët i arsimit dhe i institucioneve kulturore të muslimanëve (shkollave, instituteve etj.), bashkëpjesëmarrja e pabarabartë në arsim (si studentë, profesorë, ekspertë etj.) dhe përfaqësimi joadekuat dhe joautentik në mediume;
–        Inkuadrimi i ngadalshëm i muslimanëve në sferën publike të jetës dhe bashkëpjesëmarrja e ngadaltë në administratën lokale dhe nacionale;
–        Mungesa e integrimit efikas të muslimanëve në shoqëritë evropiane dhe perëndimore dhe participimi thuajse ‘zero’ i muslimanëve në punën politike.
 
Insistimi në premisat universale kulturore të Islamit në Evropë
 
Popujt muslimanë dhe bashkësitë muslimane në Evropë urgjentisht duhet të afirmohen por edhe të konfirmohen si bashkësi universale, të cilat Islamin do ta komentojnë dhe manifestojnë në mënyrë universale, mënyrë kjo më e kapshme dhe më e përdorshme për Evropën. Xhamitë duhet të universalizohen e jo të parcializohen sipas përkatësisë rajonale, gjuhësore apo të ngjashme. Kjo mënyrë do t’i zbrapste provincializmat dhe do të vinte në shprehje fryma frymëgjerë islame.
Në rast të universalizimit të xhamive, myslimanët do të fitonin një reprezentim gjithëpërfshirës para qeverive apo sfidave të përgjithshme, kurse shteti përkatës para vetes do të kishte përfaqësues reprezentativ të të gjithë myslimanëve.      
Në Evropën e lirë edhe religjionet duhet të jenë të lira. Kjo po premtohet edhe për myslimanët, siç ndodh prej më herët me Kristianizmin dhe Judaizmin. Islami i koncipuar në mënyrë universale, i liruar nga efemernitetet nacionale fetare, do të mund të ndihmonte proceset e evropeizimit tonë myslimanë. Proceset e universalizimit të Islamit në Evropë por edhe në Ballkan (i cili është Evropë në mënyrën tonë), ka nevojë të trimërohen. Është e dukshme se universalizimi i Islamit është ajo që sot anon kundrejt veçantive nacionale dhe kulturore në Perëndim. Me këtë nuk dëshirohet të thuhet se Islami është kundër identitetit nacional, as që dëshirohet të thuhet se Islami është kundër dallimeve kulturore. Dua vetëm të theksoj se Islami  gjatë historisë e ka çliruar njerëzinë nga fetishizimi i veçorisë nacionale, kulturore, gjuhësore apo racore.
            Universaliteti i Islamit shkon në vend të parë, këtë e shohim te studentët muslimanë të cilët janë të lindur në Britani të Madhe dhe të cilët kanë nënshtetësinë britanike, kurse prindërit e të cilëve janë pakistanezë apo bangladeshianë. Shtrohet pyetja a janë këta djelmosha dhe vasha britanikë apo ata janë pakistanezë, bangladeshianë, ose, në fund të fundit, këta djelmosha dhe vasha janë, thjesht, muslimanë, evropianë muslimanë? Të gjitha këto janë përbërëse të rëndësishme të çështjes mbi identitetin, kurse çështja e hulumtimit aktual të evropianëve muslimanë për identitet rrumbullakon konturat kryesore në përkufizimin e Islamit në Evropë në një mënyrë universale. Nuk ka frikë nga përkufizimi dhe konceptualizimi i veçantë i universalitetit islam në Perëndim as nuk ka frikë nga universaliteti i muslimanëve evropianë apo i evropianëve muslimanë. Deri sa Islamin në Evropë ta përkufizojnë dhe për të hulumtojnë muslimanët në Evropë dhe në Perëndim, në këto përkufizime nuk duhet shikuar si në një lloj të kalit trojan.
Koncepti i Islamit në Evropë sot, ai të cilin e afirmojnë dhe e artikulojnë evrpoianët muslimanë të arsimuar dhe kulturalisht të ndërtuar, insiston në aspektet universale të Islamit. Në punimet e tyre ata theksojnë se vijat muslimane atdhetareske (bangladeshiane, pakistaneze, afrikane, turke, boshnjake, shqiptare ...) duhet ta kenë vetëm rolin dytësor dhe, si të tilla, do të destinoheshin për sferën private dhe shtëpiake. Islami në Evropë duhet të jetë Islami i komentuar universalisht, i cili evropianët muslimanë do t’i çlironte nga getoizimi i vetes dhe getoizimi i Islamit në Evropë dhe në Perëndim.
            Konsiderojmë se është përjashtimisht e rëndësishme në proceset e konfirmimit të sërishëm universal të Islamit si fe në Kosovë, Shqipëri, Bosnjë dhe në Perëndim të përdoren veprat e vjetra dhe të reja të evropianëve të cilët në mënyrë të dokumentuar kanë shkruar për Islamin nga aspektet e ndryshme ose për të kanë kënduar. Veprat e Gëtesë, Annemarie Schimmelit, Louis Masignonit, Henry Corbinit, Murad Hofmannit, Tim Winterit, Huston Smithit, Karen Armstrongut etj., janë përjashtimisht frymëzuese dhe të rëndësishme në krijimin e klimës për krijimin e veprave të reja që merren me aspektet e ndryshme fetare, kulturologjike, qytetëruese, artistike dhe të tjera të Islamit në Perëndim.
            Detyrë sidomos të rëndësishme të cilin sa më urgjentisht duhet ta afirmojmë është çështja e afirmimit të traditës islame si traditë e cila, në kuptimin qytetërues, vazhdon në traditën judeo-kristiane. Ne muslimanët në Perëndim duhet të veprojmë në mënyrë sintetike dhe ta afirmojmë sintezën qytetëruese të judaizmit, kristianizmit dhe Islamit. Unë them këtu “sintezën qytetëruese” dhe nuk flasë për sintezën fetare. Fetë janë të ndryshme dhe aty duhet të respektohen dallimet, por në kuptimin qytetërues Islami sot mundet krejt barabarësisht t’i bashkangjitet judaizmit dhe kristianizmit në Perëndim.
            Nëse si musliman e afirmojmë qytetërimin judeo-kristian-islam në Perëndimin aktual, atëherë do t’ia heqim argumentet Bernard Lewisit, Samuel Huntingtonit dhe të tjerëve, të cilët në Islam shikojmë si në një fe lindore.
Do t’i afrohemi sintezës vepruese të cilën e përfaqëson Edward Saidi. Kurse Islami vetvetiu edhe është një sintezë e tillë e fuqishme!