Demet e internetit per rinin

11/04/2009 10:37

www.lexokuran.tk

www.duajeni-islamin.webnode.com

 Sikur që dobitë dhe të mirat e internetit nuk mund të llogariten e të numërohen, po ashtu edhe dëmet e të këqijat e tij janë të panumërta. Shkencëtarët e Perëndimit thonë: Interneti është shpikja më e madhe e shekullit 20, por kjo nuk e mohon faktin që mund të jetë edhe mjeti më i dëmshëm në këtë shekull.

 

Ai që vështron me kujdes realitetin e të të rinjve, pas zhytjes së tyre në detin e thellë të internetit, do të gjejë se dëme të mëdha janë katandisur për shumicën e tyre, e sidomos për ata që nuk dinë ta shfrytëzojnë atë.

Disa prej dëmeve janë si vijon:

1. Humbja e kohës;
- Sipas një studimi të bërë nga shoqata e psikologëve amerikanë në vitin 1997 del se ata nuk kanë ndonjë punë të caktuar për ta bërë në rrjetin e internetit, ku mesatarisht kalojnë 37 orë në javë.
- Disa prej tyre kalojnë mbi dhjetë orë. Tregohet se njëri prej konsumatorëve rri në internet kafe çdo ditë nga 16 orë edhe pse ai është nëpunës, por ai shkon në vend të punës sa për të nënshkruar dhe shpërndarë disa buzëqeshje. Pronari i internet kafesë thotë: Ai vjen e ulet pas drekës dhe rri deri në mëngjesin e të nesërmes, aty dhe e kalon kohën, ku vetëm përcjell dhe merr pjesë në biseda (chat).
- Një pronar tjetër i një internet kafeje thotë: Prej gjërave më të çuditshme (të rralla), ju ndoshta edhe nuk besoni, por e kemi një konsumator, i cili nuk shkon në shtëpi, përveç se një orë në ditë, dhe tërë kohën e kalon në internet. Mosha e tij është mes 29-32 vjeç dhe shumicën e kohës e kalon në biseda.

2. Njohja me shoqërinë e keqe
Shoqërimi përmes internetit është njësoj si shoqërimi i rëndomtë, është shpatë me dy teha. Disa e shfrytëzojnë  në formën normale e të pastër, e disa të tjerë e shfrytëzojnë në formën negative e të fëlliqtë. Realiteti dëshmon për lidhjen mes dy gjinive dhe për atë që pason më vonë përmes internetit, të cilat mund të evoluojnë në çështje të rrezikshme ku edhe është vështirë dominimi i tyre. Prej gjërave të tilla në këtë aspekt, sikur tregojnë edhe mjetet e informimit, janë:
a) Një vajzë e re e mbyt veten pas bisedës (chattingut) me një të panjohur!
Një djalosh i pandërgjegjshëm shkakton vetëvrasjen e një vajze pasi që e ka mashtruar dhe e ka nxitur në punë jo të mirë (marrëdhënie seksuale) ku përmes internetit ka kontaktuar me të disa herë me joshjet e tij deri sa e ka bindur me fjalët e tij të ëmbla. E më vonë, pas kësaj tragjedie, me lotët e shterura nga vaji, e me mushkëri të copëtuara nga dëshpërimi dhe me imanin shumë të dobët, nuk gjen zgjidhje tjetër përpos që ta vras veten duke mbuluar kështu turpin dhe gabimin e saj.
A e di ky i ri i pandërgjegjshëm dhe i pafytyrë pasojën tragjike të asaj që ka bërë?! A e kupton se e ka humbur dhe shkatërruar këtë vajzë të pakujdesshme duke ia njollosur edhe nderin?! Si mund të flejë i qetë kur ai është shkaktari i parë i vrasjes së një personi pa të drejtë?!
b) I riu që devijon!
Një i ri (apo e re), i mirë që fal pesë kohët e namazit me xhemat, çdo herë vullnetar dhe aktiv në punët e mira ku edhe e kalon kohën e tij. Fillon të hyjë në rrjetin e internetit si një mjet për t’u pajisur me informacione të ndryshme. Pastaj kalojnë ditët dhe ai futet në dhomën e bisedave dhe nga kureshtja njihet me një djalë të keq, ku ata e hetojnë pakujdesinë dhe zemrën e pastër të tij, kështu që fillojnë ta ledhatojnë me fjalë, me forma e foto të ndryshme derisa ai filloi t’i lë anash namazet, e dikur i lë krejt fare, kështu derisa të devijojë. Allahu na ruajt! Allahu xh.sh. na mëson të themi: “Zoti ynë, mos na i lako zemrat tona pasi na drejtove, na dhuro mëshirën tënde, pse vetëm Ti je Dhuruesi i Madh!” (Ali Imran, 8).
c) Një i ri që bie në kurthin e shantazhit dhe kërcënimit 
Një i ri ka hyrë në botën e internetit për ta kaluar kohën në dhomën e bisedave me të tjerët dhe nuk ka dashur asgjë më tepër, vetëm se të dëfrehet. Pas një kohe njihet me një bisedues, i cili paraqet simpatinë dhe shoqërimin e tij me të. Kërkon prej këtij të riut që t’ia dërgojë foton e tij dhe emrin e vërtetë. Kjo çështje përfundon me shantazh dhe kërcënim, ku shumë herë ky kriminel e kërcënon se nëse nuk iu përgjigjet kërkesave të tij seksuale do ta publikojë foton dhe emrin e tij në të gjitha faqet dhe linqet e fëlliqta, të turpshme dhe porno.

3. Infektimi dhe sëmurja nga sëmundjet psikike
Sipas një studimi të shoqatës së psikologëve amerikanë të bërë në vitin 1997 del se 10 % e shfrytëzuesve të internetit janë të dhënë dhe të varur nga interneti (thënë ndryshe janë të droguar me internet) që do të thotë se vuajnë nga pikëllimi e pesimizmi dhe duke dashur të ikin nga kjo largohen dhe izolohen nga të tjerët dhe jetojnë të varur me zemër në botën e imagjinatave e të iluzioneve përmes bisedave me shumë njerëz që nuk ua dinë emrat e as pamjet (fotot) e vërteta të tyre. Nga nevoja e domosdoshme për shërimin e këtyre vartësve, një organizatë humanitare “Vartësit e Internetit” që e ka qendrën në Gjermani, ka filluar me përpjekje të shumta për t’i kthyer ata në jetën normale familjare dhe kanë përgatitur kurse e trajnime të ndryshme për t’ua mësuar atyre mënyrën e drejtë të shfrytëzimit të internetit.
Mjetet e informimit po ashtu na e dëftojnë edhe rastin e burrit, i cili e akuzon gruan e tij në gjykatë për pakujdesinë, izolimin dhe largimin fatal të saj nga fëmijët për shkak të internetit, i cili ia ka marrë tërë kohën.
Inxhinieri Enver Harbi, kryeredaktor i revistës “Afak el internet” – (Horizontet e Internetit), thotë: “Kemi bërë një anketë me njerëz, mbi 500 vetë, meshkuj dhe femra, përmes të cilit kuptuam se me të vërtetë kemi të bëjmë me një problem të madh të një natyre të re që quhet ‘varësia nga interneti’.”
Në një anketë të publikuar nga një revistë saudiane tregohet se në 40 % të frekuentuesve të internet kafeve interneti ka ndikuar dukshëm në raportet e tyre shoqërore sa i ka bërë edhe më të tërhequr në vete e të izoluar se sa që ishin më herët.

4. Zhytja në ndyrësirat e prostitucionit dhe në pavlerë
Revista “El fitjan” nr.12 përmend lidhur me shkallëzimin e tregut të prostitucionit përmes rrjetit të internetit: “Bandat e organizuara dhe mafitë e ndryshme nuk lanë pa e shfrytëzuar edhe internetin për tregun e prostitucionit dhe të femrave.”
Është vërtetuar se prej formave të organizatave të shthurura (pornografike etj.) për zhytjen dhe thellimin e të të rinjve në këtë janë edhe llojet e ndryshme të mashtrimit të shfrytëzuesit të përgjithshëm, e të muslimanit në veçanti, duke menduar se po merr disa emra të faqeve tregtare botërore dhe shprehje të ndryshme që shtyjnë shfrytëzuesin të marrë pjesë në këtë fëlliqësirë!!
Shumë prej shfrytëzuesve hyjnë në këto faqe pa pasur farë dijenie lidhur me to, pastaj dihet, i vjen radha rolit të shejtanit me ndikim gradual të këtyre duke ua zbukuruar të keqën, gjithnjë duke e shtuar këtë derisa të futen thellë në këto probleme.
Edhe pse shumë faqe pornografike dhe të prostitucionit janë të ndaluara dhe të penguara në shumë vende, por “kalimi dhe thyerja e murit të zjarrtë” apo arritja deri te këto faqe me metoda të ndryshme është bërë e mundshme, madje edhe për amatorë.
Përmes faqeve të fëlliqta të prostitucionit dhe pornografisë, të rinjtë bien në sprova e fitne të mëdha, e prej tyre janë:
a) Shikimi i trupave të lakuriqësuar, qofshin filma apo foto.
b) Shikimi i faqeve të çoroditura të devijimit anormal seksual si homoseksualizmi, lezbizmi dhe marrëdhëniet me shtazë.
c) Shikimi i faqeve në të cilat zhvillohet prostitucioni, amoraliteti dhe seksi.
Shtuar tërë kësaj edhe faqet që thërrasin në alkool dhe drogë, madje në kohët e fundit është paraqitur edhe e ashtuquajtura bingo dhe kumari përmes internetit.
Gazeta Vafidetun përmend se Varn Jugin nga Kanada ka hapur kazinonë për të luajtur kumar përmes internetit, të cilin e ka regjistruar në ishujt Tirkis. Edhe pse në faqen e parë thuhet se ai ndalohet për ata që janë më pak se 18, por nuk tregohet se si ekzekutohet kjo ndalesë.

5. Njohje me format e terrorit dhe të shkatërrimit
Në internet ka faqe të shumta që shpjegojnë:
- Mënyrën e prodhimit të bombave të dorës.
- Dhjetëra mënyra për varjen e vetes (vetëvrasjes).
- Zhvillimin e shkathtësive për shkatërrim, prej tyre mënyra e dërgimit të viruseve në aparatet e të të tjerëve, prishjen e ram memorieve, mjeteve të kontaktimit si dhe bashkëpunimi me rrënuesit profesionistë të quajtur hakerë.

6. Mundësia e kontaktimit me faqet thirrëse në krishterizëm dhe në çifutizëm dhe me faqet tjera të rrymave shkatërruese
Shfrytëzuesi i internetit mund të ballafaqohet me ftesën krishtere përmes futjes së tij në faqet që kanë emra të përgjithshëm, por i nënshtrohet krishterizimit apo çifutizimit të tij përmes këmbimit të letrave (mesazheve, porosive etj.) që bëhen me postën elektronike.
- Sociologu Kristof Volf thotë lidhur me fushatën e krishterizimit: “Kishat dhe sektet fetare kanë zbuluar në internet mundësinë e përhapjes së porosive të tyre.” Kristofi zbuloi se përmes makinës kërkuese ALTAVISTA gjeti 4 milionë lëndë në internet që rezultoi pas kërkimit të tij në këto faqe interneti fjalën Zot – God. Kjo do të thotë se nuk është vetëm seksi dhe të shthururit që dominojnë në internet, por edhe paraqitjet kishtare.
Shembull për këtë kemi disa faqe kishtare gjermane në internet, që njëra prej tyre çdo ditë vizitohet nga më shumë se 1000 persona që do të thotë se numri i vizitorëve të saj për një vit kap shifrën gjysmë milioni shfrytëzues. Ka edhe faqe krishtere të profesionalizuara që veprojnë për të futur dyshime rreth parimeve themelore të Islamit, të cilën gjë e bëjnë në dy gjuhë: anglisht dhe arabisht, siç është rasti me faqen e njohur “Drita e jetës” (Nurul hajati) në webfaqenwww.noral7yat.net.
- Në fushën e ftesës në fenë çifute, në mesin e faqeve çifute dallohet ajo me emrin Haglil, e cila ofron shërbime të llojllojshme në gjuhën gjermane, angleze dhe arabe, në webfaqet: www.haglil.co , www.elhagalil.com ,www.hagalilusy.com etj.. Shtojmë edhe lidhjen direkte me radiot izraelite, përgjegjësit e këtij kanali në internet thonë se numri i vizitorëve vetëm në një muaj arrin në 420 mijë.
- Ndërsa, sa i përket rrymave tjera shkatërruese ka aq shumë sa është e vështirë edhe të numërohen. Disa janë më se të devijuara si “Dëshmitarët e Jehovait”, “Satanistët”, “Mohuesit e Sunnetit Pejgamberik nën emrin: Qyteti i Dritës”, faqja “Pejgamberi Junus-Holandezi që pretendon pejgamberllëkun”, faqja “Luis Farahan-Muslimanët e Zi në Amerikë”. Ka edhe shumë faqe tjera të humbura si e Reshad Halifes, e Ahmedive, e Kadijanive e shumë e shumë tjera.

7. Përgjimi (spiunimi) i sekreteve personale (gjërave intime-private)
Ata që janë profesionalizuar apo ata që kanë përparuar në përdorimin e programeve të internetit mund të depërtojnë dhe të hyjnë në kompjuterin personal të çdo shfrytëzuesi, gjë që nuk është aspak e vështirë.
Inxhinieri Abdulkadir Kamili thotë: “Depërtohet dhe hyhet në sekretet tua përmes internetit në dy anë:
- Të pajisurit me shërbimin e lidhjes me internet (ISP), i cili mund të bëhet në formë të plotë.
- Përmes faqeve që ti i viziton, dhomave e forumeve në të cilat merr pjesë çfarëdo qoftë karakteri i tyre. Ky është një depërtim i pjesërishëm, por i rrezikshëm nganjëherë.”
Andaj edhe njëri prej këtyre thotë: “Interneti nuk harron! Çdo gjë që duart tua e bëjnë në internet mund të mbetet përgjithmonë... E ndoshta nesër mund të përdoret si armë kundër teje.” Lans Golander në shtetin Oregon të SHBA-ve eksperimentoi me një program spiunimi ndaj konsumatorëve të tij në rrjetin e internetit dhe u befasua tmerrësisht nga ajo që përjetoi, e tha: “Më dukej se e përcillja shfrytëzuesin, qëndroja para tij dhe ndjeja fuqinë time në shikimin e hollësishëm të detajeve të tij.”
Ekzistojnë edhe të ashtuquajturit hakerë dhe krakerë, të cilët depërtojnë në kompjuterët e të të tjerëve përmes internetit, disa prej tyre e bëjnë këtë nga kureshtja, e disa janë agjentë të organizatave të ndryshme, të brendshme apo të jashtme për të cilat edhe punojnë dhe spiunojnë.

8. Shkatërrimi i jetës bashkëshortore
Në gazetën Vafidetun në artikullin me titull: “Vartësia e rrjetit botëror zgjeron izolimin familjar, invadimi i internetit nëpër shtëpi kërcënon bashkëshortet”, autori i shkrimit flet për kacafytjet, problemet dhe zhurmat e bashkëshortëve të rinj që janë në muajt e parë të jetës së re familjare. Shumë nga këta bashkëshortë, djem të rinj, e pranojnë faktin se ndeja e tyre me orë të tëra në internet dhe shfletimi i qindra faqeve, i ka larguar nga shoqërimi dhe ndeja me gratë e tyre derisa ka arritur çështja aty edhe ku ka arritur. Si përfundim i kësaj përmendet se shumë prej këtyre djemve i humbën gratë e tyre, u shkurorëzuan dhe i shkatërruan jetët e tyre bashkëshortore për shkak se ata nuk mund të ndaheshin nga rrjeti i internetit. Në këtë ka ndikuar edhe dobësia e tyre në udhëheqjen e interesimeve të tyre dhe liria e tepruar për të shikuar në gjërat e ndaluara në faqet e ndryshme të internetit.